Lajme
​Dëshmitari thotë asnjëherë nuk ka marrë urdhër nga Salih Mustafa për të arrestuar ndonjë person
Demokracia
14:34 | 23 Mars 2022

Share:

Dëshmitari Brahim Mehmetaj i ka thënë trupit gjykues se asnjëherë nuk ka marrë ndonjë urdhër nga Salih Mustafa për të arrestuar dikë dhe pastaj për ta dërguar të ai. Dëshmitari i parë i mbrojtjes së Mustafës ka thënë se përveç kësaj as nuk ka dëgjuar brenda njësisë BIA që dikush të ketë bërë diçka të tillë.

Gjatë dëshmisë së tij në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë, Mehmetaj ka thënë se pjesëtarët e BIA-s e kanë shfrytëzuar një shtëpi në Zllash për t’u strehuar dhe se nuk kanë pasur asnjë punë tjetër në atë zonë.

Avokati i Salih Mustafës, Julius Von Bone e ka pyetur dëshmitarin nëse ndonjëherë ka marrë urdhër nga Mustafa për të ndaluar ndonjë person.

“I nderuar avokat, shkëlqesia juaj zonja gjykatëse, unë e thash edhe më herët as nuk ka qenë në kompetencën e Salih Mustafës por as të strukturës që ne kemi udhëhequr në atë kohë e cila është quajtur Guerila BIA, që të ketë mekanizëm për arrestim, hetim apo ndalje apo veprim tjetër me bë, kështu që asnjëherë, në asnjë rast, në asnjë rrethanë nuk kam marrë urdhër dhe nuk kam dëgju që është dhënë ndonjë urdhër për me bë këso veprime, ato që ju i thatë”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se BIA i ka shfrytëzuar dy dhoma nga kompleksi i disa shtëpive në Zllash në të cilat sipas tij strehoheshin pjesëtarët e UÇK-së por edhe civilë që kishin ikur nga Prishtina.

“Asnjë punë nuk ka pasur për të kryer në Zllash apo rreth Zllashit, BIA e ka përdorur atë vendqëndrim kryesisht për të pushuar dhe për ‘;tu kthyer pastaj ushtarët aty janë ndërruar, janë ardhur ushtarë të ndryshëm, disa kanë qëndruar dy tre ditë, kanë lëvizur kanë ardhur të tjerë, kanë shkuar në detyra tjera që i kanë pasur, kjo ka qenë krejt funksionimi i BIA-s në atë vend”, ka thënë Mehmetaj.

Ai ka thënë se nuk ka parë që ndonjë ndërtesë në këtë kompleks të Zllashit të jetë ruajtur në formë të veçantë ushtarake.

Mehmetaj ka thënë para gjykatës që ka qenë dy herë në Zllash dhe derisa është pyetur për periudhën kohore, ai ka thënë se ka ndodhur në muajin mars apo prill të vitit 1999.

Ai ka thënë se herën e parë ka shkuar në Zllash për të dërguar ndihma mjekësore që sipas tij ishin dedikuar për shtabin e Brigadës 153.

Ndërsa herën e dytë, Mehmetaj ka thënë se ka shkruar në Zllash për të takuar Isa Kastratin, i cili pastaj kishte rënë dëshmor më 21 prill 1999.

“Nuk jam shumë i sigurt, por ndoshta mund të ketë qenë afër dy javë nuk jam i sigurt këtu mundem me gabu por aty diku”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se në Zllash ka qëndruar rreth katër orë dhe se aty ka takuar edhe ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe ka shtuar se i pranishëm aty kishte qenë edhe Salih Mustafa.

“Saktësisht me datë nuk e mbaj mend sepse është kohë shumë e gjatë dhe realisht nuk e kam ditur që duhet me mbajt mend, por ka qenë diku muaji mars-prill[…]Isa Kastratin e kam takuar në atë vendstrehimin që e ka pasur Guerila BIA në Zllash, në atë shtëpinë ku ka qëndruar në Zllash, aty e kam takuar. Atë karakter e ka pasur, për shkak se Zllashi prej Prishtinës është disa kilometra dhe është në lartësi mbidetare diku 1 mijë metra, ka qenë një zonë e lirë për atë kohë, nuk ka pasur forca ushtarake paramilitare në atë vend, për shkak të sigurisë dhe idesë se është një vend ku munden me pushu ushtarët pak më qenë pasi kanë kryer punë në vende tjera, kanë ardhur anë pushu, kanë shkuar, janë kthyer, dhe për atë arsye është vend strehim apo vendqëndrim”, ka thënë ai.

Ndërsa kur i është kërkuar të përshkruajë vendin në Zllash, Mehmetaj ka thënë se ka qenë oborr i madh me disa shtëpi përreth.

“Njerëzit e BIA-s aty sa unë e kam kuptuar dhe e di që është ashtu i kanë pasur në shfrytëzim vetëm dy dhoma prej atij kompleksi të shtëpive që kanë qenë aty, se ai ka qenë kompleks i një familje të madhe që e kanë përdorur. Aty kanë qëndruar njerëz që kanë ikur prej zonave të ndryshme, kanë ardhur kanë qëndruar një apo dy ditë derisa kanë siguruar vend tjetër diku dhe kanë lëvizë, kanë qëndruar ushtarë që kanë ardhur, ushtarë prej Zonës Operative të llapit apo zonave të tjera, janë ushqyer, kanë qëndruar një ditë, dy, apo tri, ka qenë një vend i hapur ku ka mundur me u fut çdo kush dhe me qëndru aq sa kanë pasur nevojë njerëzit”, ka thënë Mehmetaj.

Aktakuza ndaj Salih Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Të ngjashme