Më shumë se 20 avionë luftarakë të Kinës kanë kaluar të ashtuquajturën linjë qendrore në ngushticën e Tajvanit në manovra rreth ishullit, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit.
Tetë avionë luftarakë Su-30, gjashtë avionë luftarakë J-11 dhe katër avionë luftarakë J-16, dy gjuajtës-bombardues JH-7 dhe një helikopter antinëndetëse Ka-28 morën pjesë në manovra, tha ushtria tajvaneze.
Ushtria kineze njoftoi sot, një ditë pas përfundimit të stërvitjeve ushtarake në shkallë të gjerë me përdorimin e municioneve të gjalla rreth Tajvanit, se po fillon manovra të reja në det dhe qiell rreth atij ishulli.
Komanda Luftarake Lindore e Ushtrisë së Kinës njoftoi në rrjetin social Weibo se do të praktikojë kryerjen e sulmeve kundër nëndetëseve dhe sulmeve në det.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës tha se Tajvani është “pjesë e Kinës” dhe se Kina kryen stërvitje ushtarake “në territorin e saj” në një mënyrë të hapur, transparente dhe profesionale.