COVID-19KosovaSot:1Të gjitha:272,044|Bota 620,374,878
Arte
​Poezia “Pengu i lirisë”, fituese e çmimit “Pena e Flakës 2022”
Demokracia
19:57 | 31 Janar 2022

Share:

Poezia e Alketë Spahiut me titull “Pengu i lirisë” është shpallur fituese e çmimit kryesor në “Ora e madhe letrare” të shtyllës “Pena e Flakës” në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2022”.

Pasi janë lexuar e deklamuar poezitë pjesëmarrëse në “Ora e madhe letrare”, janë publikuar edhe rezultatet e konkursit anonim letrar në prozë e poezi.

Juria e përbërë nga Ramadan Mehmeti, Sabile Keçmezi – Basha dhe Sinan Sadiku, ka qenë unanime në vlerësimin final për shpalljen e fituesit të poezisë më të mirë të lexuar në “Ora e madhe letrare”.

Në emër të jurisë vlerësuese, Sabile Keçmezi – Basha vuri në dukje se cilësia e prurjeve të këtij edicioni ka qenë në nivel të kënaqshëm, sikurse edhe konkurrenca, për të cilën tha se ka qenë jashtëzakonisht e fortë dhe në numër të madh.

“Duke i analizuar poezitë, në të gjitha vërejtëm tonin meditativ ku gjejmë shqetësime krijuese që gërshetohen në filozofinë poetike të këtyre poetëve, të cilët sjellin një imazh që në vete bart realitetin e kohës dhe me një simbolikë metaforike gjuhësore përjetohet si refleks komunikimi duke bartur natyrshëm një mesazh të qartë tek lexuesit”, tha ajo, ndërsa pjesëmarrjen masive të poetëve e cilësoi “festë në vete” për poezinë shqipe.

Në kuadër të pjesës letrare të manifestimit, juria e konkursit anonim letrar ka ndarë çmimet në prozë e poezi për krijimet më të mira.

Çmimin e parë e fitoi poezia “Legjendë tingujsh” me shifër “Itaka”, vendin e dytë e fitoi poezia “Fjalët për një këpucë të humbur” me shifër “Këpuca e gjetur”, kurse vendi i tretë i ka takuar poezisë me shifrën “Flokë të arta” e me titull “N’ikje”.

Ndërsa në prozë, tregimi “Dritëhije e Prishtinës” me shifrën “Janari” zuri vendin e parë. Vendi i dytë i takoi tregimit me titull “Tundimet e Shën Arturit” me shifrën “Dora d’ Istria”, ndërsa ai me shifrën “Intuita” e me titull “Makthi cullak” zuri vendin e tretë.

Edicioni i “Pena e Flakës” do të përgatitet dhe botohet në një botim të veçantë në revistën letrare “Agmia”, në të cilën, përveç krijimeve fituese nga konkursi anonim dhe “Ora e madhe letrare” do të botohen edhe një numër syresh, të cilat janë vlerësuar nga komisioni si punime të denja e me nivel të kënaqshëm letrar/artistik: “Më thuaj shpesh”, shifra “Perla”; poezia me titull “Për një ditë marsi” me shifrën “Janari”; poezia “Nata” me shifrën “24 pjesët e natës”; poezia “Mjekrës së thinjur të kohës” me shifrën “15012017”; poezia “Blegërima e harresës” me shifër “Harrestar në Horoskop”; poezia e radhës me titull “Jetëshkrim manekinësh” me shifrën “Manekini”, si dhe poezia “Kurrë lumë” me shifrën “1980”.

Të ngjashme